PSD : 1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punës – ditë kundër shfrytëzimit.

1 Maji është datë e ngjarjeve të rezistencës. Prandaj s’mund të jetë ritual as ceremoni. Sot 135 vjet punëtorët e Çikagos u vranë sepse po kërkonin ditën 8 orëshe të punës. Sikur gjithçka tjetër, edhe 1 maji na mëson se tek arritjet e deritashme duhet ta shohim veç sakrificën e djersën tonë. Ato janë rezultat i përpjekjeve dhe jo gjenerozitet i zotërinjve.
1 Majin duhet ta nxjerrim nga ndryshku ceremonial i mbetjeve të real-socializmit. 1 Majin duhet ta bëjmë rrugë, pikëpamje e pozicion. Për t’u bërë thirrje ai duhet t’i flasë grave e burrave të rropatur fizikisht nga puna e stërzgjatur, por edhe të rënduar nga ankthi i pasigurisë së punës pa kontratë.
1 Maji është dita e punës, punë që i kthehet punëtorit si hakmarrje, punë prej të cilës majmen e dhjamosen parazitët e milionave.
Subjekte të 1 majit janë mijëra shitës të qendrave tregtare që për 250 euro bëjnë shtije, pastrojnë, e kryejnë edhe ngarkim-shkarkim; janë mijëra punëtorë ndërtimi të pasiguruar që sakatohen e vriten; është dita e atyre që pastrojnë e sigurojnë objekte; është dita e atyre që tregu i ka nxjerrë tepricë kurse ideologjia arsyeton veç në mënyrë tregtare; është dita e gjithë atyre punëtorëve që siguruan vazhdimin e jetës kur të gjithë ne u strukëm për t’u mbrojtur nga virusi. Janë ata që siguruan rrymën dhe bukën, shëndetin e pastrimin.
1 Maji e gjen organizimin sindikal në një nivel të pamjaftueshëm. Sektorë të mëdhenj të ekonomisë janë të penguar për organizim. Gjendjet e ndryshme socio-ekonomike, natyra e ndryshme e punës nuk janë arsye për ndarje e diferencime. Çfarë na duhet janë lidhjet e solidaritetit – është puna që i bashkon njerëzit përmbi dhe përkundër të gjitha ndarjeve e identiteve të shpikura. Prejardhja, feja, apo orientimi seksual nuk na bëjnë asnjërin prej nesh më pak të shtypur.