Lajme

Fjalimi i minstrit Mehaj sot në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike

Sot isha i nderuar të kontribuoj në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike, e cila u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacioni “Friedrich Ebert Stiftung” në Pejë.
Në edicionin e sivjetmë, që trajtoi temën “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë”, në sesionin e parë, para diplomatëve të 16 vendeve të Botës, paraqita kumtesën time në temën “Rëndësia e Sigurisë Bashkëpunuese për Kosovën dhe Rajonin”. Në vazhdim keni kumtesën time:
“I nderuar Kryeministër Kurti,
Ministre Gërvalla
Ministër Sveçla,
Ambasador Kiçmari,
Zoti Schlee,
Të dashur studentë, të nderuar mysafirë,
Faleminderit që më keni mundësuar sot për të folur për një temë kaq të rëndësishme si “Siguria bashkëpunuese për Kosovën dhe Rajonin”.
Siguria bashkëpunuese, ku të gjitha vendet veprojnë kolektivisht për interesat e tyre të përbashkëta, është një temë që diskutohet gjerësisht në shumë aspekte të ndryshme, si teorikisht ashtu edhe praktikisht.
Në kohën e kërcënimeve të sigurisë globale, siç janë pandemia COVID 19, fatkeqësitë natyrore për shkak të ndryshimit të klimës dhe marrëdhëniet ndërshtetërore, tema e sigurisë bashkëpunuese meriton një studim dhe diskutim serioz. Të gjitha fenomenet demonstruan se bota ku ne veprojmë si një, është ajo që mbizotëron.
Për më tepër, ky rajon në mënyrë specifike, njeh rëndësinë e sigurisë kolektive, veçanërisht gjatë luftërave në vitet ’90.
Kosova shërben si një shembull i mirë i përpjekjeve të përbashkëta të vendeve të NATO -s për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin.
Në nivel global, ne kemi qenë dëshmitarë kohët e fundit, se pa ndihmën e njëri -tjetrit, pandemia COVID ishte vështirë dhe e pamundur për t’u trajtuar. Vetëm kur të gjithë i mbyllëm kufijtë, në bashkëpunim të plotë dhe e trajtuam pandeminë në mënyrë kolektive, ne arritëm ta kontrollonim dhe ta trajtonim atë.
Gjithashtu, kohët e fundit, në Evropë dhe në rajon, rastet e zjarreve, përmbytjeve dhe tërmeteve, janë shkatërruese nëse vendet veprojnë të vetme. Dëmi dhe shkatërrimet do të ishin jashtëzakonisht të mëdha nëse vendet si të vetme do t’i trajtonin fatkeqësitë. Ndihma e fqinjëve dhe aleatëve ishte më se e nevojshme.
Si shumica e vendeve demokratike, Kosova gjithashtu aspiron dhe punon shumë për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare si NATO, Bashkimi Evropian, Interpol etj.
Objektivat e mi, si Ministër i Mbrojtjes, të gjithë kanë elementin e sigurisë bashkëpunuese ose kolektive.
• Forcimi i mbikëqyrjes demokratike civile dhe rritja e llogaridhënies dhe transparencës janë parakushte për të fituar besimin dhe për të ndarë vlerat reciproke në synimin për të bërë Kosovën një partner të vlefshëm për vendet e tjera.
• Zhvillimi i aftësive ushtarake për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, duke qenë një partner i fortë dhe i besueshëm me aftësitë që kontribuojnë në sigurinë dhe mbrojtjen.
• Zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh, anëtarësimi në organizata dhe pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare.
• Ruajtja e aftësive të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile – Forca të gatshme për të ndihmuar dhe mbështetur autoritetet shtetërore në fatkeqësitë natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, si dhe
• Rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së nga komunitetet jo-shumicë, si dhe vajzat dhe gratë në uniformë.
Siç mund ta shihni, katër nga objektivat e mi si Ministër i Mbrojtjes janë të lidhura drejtpërdrejtë dhe ngushtë me temën që po prezentoj, pra sigurinë bashkëpunuese, për çka institucionet tona po përgatiten të marrin më shumë përgjegjësi.
Kosova, si një vend i ri dhe i vogël aspiron të bëhet përfundimisht një kontribuues dhe jo vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit kolektiv në rajon, por edhe më gjerë.
Forca e Sigurisë e Kosovës po përgatitet për sfidat e së ardhmes, duke qenë një Forcë e cila mund të shërbejë përkrah vendeve anëtare të NATO -s në operacionet paqeruajtëse dhe duke shtrirë dorën e ndihmës në vendet partnere.
Në këtë linjë, ne kemi zbarkuar bashkë me krenari kontingjentin tonë në Kuvajt. Ushtarët tanë po shërbejnë së bashku me ushtrinë amerikane. Ky bashkë-zbarkim ka një përfitim shumëdimensional për FSK-në.
Së pari, ajo e ekspozon Ushtrinë tonë ndaj sfidave dhe ngjarjeve të botës reale në operacione, si një sprovë dhe demonstrim i pjekurisë dhe qëndrueshmërisë së ekipit atje. Së dyti, ajo gjithashtu shërben si një përvojë e madhe për të gjithë FSK-në. Së fundmi, dhe më e rëndësishmja, mëson elementët dhe FSK -në se në operacion, ne të gjithë veprojmë si një.
Siç e përmenda më herët, një aspekt tjetër domethënës i sigurisë bashkëpunuese në Kosovë dhe rajon është koncepti i “Smart defense”(“Mbrojtjes së zgjuar”) në fushën e kërkim-shpëtimit. Tërmeti në Shqipëri, në Kroaci, zjarret në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, si dhe përmbytje në të gjithë Evropën, demonstruan se ekziston një kërkesë e madhe për të forcuar kapacitetet tona dhe për më tepër, për të vepruar kolektivisht.
Në këtë aspekt, ne po investojmë në Qendrën Rajonale të Trajnimit të Kërkimit- Shpëtimit dhe u kemi ofruar vendeve tona partnere trajnimin e personelit të tyre, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe si të tillë, të veprojmë si një.
Homologët e mi nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord dhe këmbëngulën më tej në këtë qasje duke parë nevojën dhe duke dëshmuar në praktikë se ka nevojë për një qasje më proaktive në menaxhimin e operacioneve në fatkeqësitë natyrore.
Kur flas për bashkëpunimin, unë do të doja të ju njoftoj se ne jemi gjithashtu në koordinim të ngushtë me Izraelin dhe po shikojmë mënyra për të bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit. Ka kaq shumë potencial, dhe ne po diskutojmë disa fusha bashkëpunimi.
Nga ana tjetër, në rajon kemi edhe shembullin tjetër dhe atë, ndikimin e Rusisë në demokracitë e disa vendeve. Rusia, si një bllok tradicional opozitar i NATO -s dhe SHBA -së, kërkon sferën e saj të ndikimit në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, me tendenca edhe në Malin e Zi. Bosnja është ende duke kaluar nëpër pasiguritë e saj serioze dhe Maqedonia e Veriut po përpiqet të gjejë rrugën e saj në këto dinamika. Një rajon me ndryshime të tilla të shpejta është një tregues i qartë se Kosovës i duhet të punojë shumë për të forcuar demokracinë e saj: sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe avancimin e shtetësisë dhe partneritetit ndërkombëtar.
Ky orientim dhe përkushtim për qeverisje të mirë dhe përfshirje ndërkombëtare e bën Kosovën një partner të vlefshëm dhe të fortë për SHBA dhe BE. Angazhimi i Kosovës për të përparuar në njërën anë dhe përfshirja e Rusisë në rajon, i bën SHBA -të një faktor shumë të rëndësishëm në rajon. Kjo është arsyeja pse SHBA dhe prania e saj në Kosovë, derisa Kosova po ndërton dhe forcon kapacitetet e saj, ka një rëndësi shumë të madhe.
Lidhja e vlerave të përbashkëta është ajo që i bën vendet të bashkohen nën një organizatë ombrellë si NATO dhe BE me qëllimin e përbashkët për paqen, demokracinë dhe stabilitetin. Kjo është ajo që mban lidhjen e fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Partneriteti dhe Besim i Fortë. Mbështetja e Kosovës në operacionin e evakuimit të afganëve nga NATO është një demonstrim tjetër se Kosova është e etur të marrë më shumë përgjegjësi dhe të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin. Në këtë rrugë, Kosova gjithashtu duhet të mësojë dhe përparojë vazhdimisht dhe mjaft shpejt.
Ne si Ministri e Mbrojtjes kemi arritur të forcojmë partneritetin tonë si në vijim:
• Diplomacinë ushtarake – inicimin e rishikimit të Memorandumeve të Mirëkuptimit me Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Malin e Zi, Britaninë e Madhe, Japoninë dhe Hungarinë.
• Stërvitjen fushore ‘LAUFER 21’ me Kroacinë;
• Për më tepër, Ministria e Mbrojtjes pranoi konfirmimin përfundimtar për draft-marrëveshjen SOFA midis Kosovës dhe Kuvajtit, si dhe ne së shpejti po nënshkruajmë edhe SOFA me Maqedoninë.
Këta janë vetëm disa shembuj që tregojnë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe se si ne, si Ministri e Mbrojtjes, po menaxhojmë përmes bashkëpunimit me vendet e tjera të rajonit dhe Botës me përparim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ministria e Mbrojtjes po punon shumë për të forcuar bashkëpunimin dhe për të mbështetur zhvillimin e Kosovës. Siguria garantohet më mirë në bashkëpunim.
Siguria bashkëpunuese po shihet si një formë mekanizmi për sigurinë e mëtejshme kombëtare, e cila për Kosovën si një vend i vogël është shumë e nevojshme.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!”

Related Articles

Back to top button