Inspektorati Farmaceutik inspekton kompaninë “ Pharma Leader “

Njoftim
Prishtinë, 14 qershor
Sot, Inspektorati Farmaceutik në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi që kishte indikacion të bazuar, ushtroi inspektim në kompaninë “Pharma Leader”, për të cilën dje u konfirmua se në procedurën e furnizimit të tenderit për insulina, ka prezantuar një dokument që dyshohet të jetë i falsifikuar.
Inspektimi është realizuar derisa organet e rendit, përkundër denoncimit publik, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në raport me dyshimet për falsifikim të dokumentit.
Gjatë kontrollit në kompaninë “Pharma Leader”, Inspektorati Farmaceutik është asistuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Gjatë këtij inspektimi janë gjetur edhe disa pako të insulinave me afat të skaduar.
Gjithashtu, janë kontrolluar edhe dokumentacionet që ndërlidhen me rregullsinë e veprimtarisë së kësaj kompanie.
Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë, me datë 13 qershor 2023, në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike, ka dorëzuar njoftimin për dyshimin e falsifikimit të dokumentit nga ana e kompanisë “Pharma Leader”.
Presim sa më parë nga Prokuroria që të ndërrmarrë të gjitha masat në funksion të zbatimit të ligjit lidhur me kryerjen potenciale të veprës penale – mashtrim në prokurim publik, falsifikim të dokumenteve me qëllim përfitimi dhe, mbi të gjitha, rrezikim potencial i shëndetit publik.
Ministria e Shëndetësisë do t’ju njoftojë me kohë për të gjitha hollësitë lidhur me këtë rast.
Inspektimet do të vijojnë për të mbrojtur shëndetin publik në mënyrë që qytetarët tanë të mos i ekspozohen ndaj këtyre rreziqeve.