Dalin detaje: Borell takon ndamas Kurtin e Vuçiqin

Takimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.
Shërbimi i Jashtëm i BE-së tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
Takimet në kryeqendrën evropiane pritet të nisin pasditen e së enjtes.
“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat. Kurti dhe Vuçiq veçse kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrell.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.
“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.
Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.
Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.