Përkujtohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Çamëri !

Sot përkujtohet spastrimi e gjenocidi i bërë ndaj çamëve. Sipas një memorandumi që Komiteti Antifashist Çam i dërgonte OKB-së në vitin 1946, ky spastrim filloi qysh në 1912, vazhdoi me disa valë, dhe goditjen finale e dhanë pas Luftës së Dytë, forcat e Zervës.
Spastrimi e gjenocidi i çamëve ishte i dyti që përjetoi kombi ynë, teksa i pari qe ai i viteve 1887-88, kur shqiptarët u shuan nga Nishi e krahinat përreth.
Prej 1888 deri në 1945 janë 57 vjet, nga gjenocidi i parë tek i dyti. Por as ky i dyti nuk qe i fundit. Prej 1945 deri në 1999 janë 54 vjet. Në 111 vite, tre herë gjenocid.
Ky i fundit, i Kosovës 1999, ishte i vetmi syresh kur shqiptarët reaguan si komb i vetëm, me dakordim Shqipëri-Kosovë, dhe gjithë trojet bashkë me mërgatën. Kjo është arsyeja pse në fund Kosova nuk u spastrua, madje kjo është edhe arsyeja se pse fuqitë ndërkombëtare mbështetën. Ndërsa te dy të parët, shqiptarët reaguan fare pjesërisht, vetëm në mënyrë krahinore, prandaj fuqitë e mëdha nuk u mërzitën shumë pse këtij kombi i zvogëlohej shtati.
Unë pajtohem plotësisht me maksimën “të mos mbesim peng të së kaluarës”. Por nëse nuk nxjerrim mësim nga historia, ajo na u përsëritka. Pikërisht duke qenë indiferentë ndaj historisë, duke pretenduar të jemi “ahistorikë”, mbetemi pengje të saj.