Lajme

Kryeministri Kurti uron 30 vjetorin e Pavarsisë së Sllovenisë

25 qershori shënon ditën e shtetësisë së Sllovenisë, vendit tonë mik që u shkëput e para nga Jugosllavia. Ky vit është jubilar sepse shënohet përvjetori i tridhjetë i pavarësimit të vendit. Në 25 qershor të vitit 1991 me Deklaratën e Pavarësisë dhe Kartën Themelore Kushtetuese, Sllovenia edhe formalisht u shpall Republikë e pavarur teksa vetëm dy ditë më pas Armata Jugosllave nisën sulmet ushtarake mbi të për filluar kështu edhe lufta për pavarësimin e vendit që zgjati 10 ditë. Populli dhe shteti slloven ishin të vendosur në ecjen e tyre drejt shkëputjes nga ish Jugosllavia. Në anën tjetër, akti i 25 qershorit 1991 është pandashëm i lidhur me referendumin e 23 dhjetorit 1990 në të cilin afro 90% e popullit slloven votuan që Sllovenia të bëhet shtet sovran dhe i pavarur.

Në këtë ditë feste për Slloveninë kujtojmë jo vetëm raportet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve e popujve tanë, por edhe shembullin që kemi marrë gjithnjë nga ta për kulturën e punës dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Sllovenia paraqet model suksesi jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, për jetën e zhvilluar sociale që shkon krahas me zhvillimin ekonomik.

Në 30 vjetorin e Pavarësisë, urojmë sllovenët, shtetin dhe udhëheqësit e tyre:
Vse najboljše, Slovenija!

#Slovenija30

Related Articles

Back to top button