Bekim Jashari fton asambleistet e Komunës së Skenderajt për votim

Ftesë publike për asambleistët për votim të statutit të ri të komunës sonë
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar asambleistë të komunës sonë,
Që nga marrja e mandatit tim si kryetar i komunës së Skenderajt, më përkrahjen tuaj, me nder e përkushtim kam punuar për të mirën e qytetarëve, duke realizuar projekte të shumta në secilin fshat të komunës sonë, me gjithë buxhetin e limituar që kemi pasur.
Jam i lumtur që së bashku kemi realizuar shumë projekte në qytet dhe fshatra të komunës sonë, duke përfshirë projekte në rrugë, trotuar, ujësjellës, kanalizim, ndriçim, kulturë, rini e sport, shëndetësi, arsim, bujqësi etj.
Krahas realizimit të projekteve kapitale si komunë dhe në veçanti si ekzekutiv kemi punuar dhe po punojmë edhe në kompletimin dhe harmonizimin e legjislacionit: Statutit, rregulloreve komunale, strategjive e vendimeve, për të mirën e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.
Me qëllim të përcaktimit të qartë të mënyrës së qeverisjes sonë lokale, harmonizimin me legjislacionin e shtetit tonë si dhe evitimit të mangësive ligjore, komisioni për hartimin e akteve normative i votuar nga Kuvendi i Komunës ka hartuar statutin e ri të komunës sonë.
Një statut i hartuar sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara dhe duke qenë për një muaj në diskutim publik, për të inkorporuar edhe sugjerimet e qytetarëve dhe shoqërisë civile.
Statuti aktual i komunës sonë është miratuar në vitin 2008 dhe pothuajse të gjitha komunat e Kosovës, statutet e tyre të miratuara në këtë periudhë kohore i kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit për arsye të ndryshimit të legjislacionit të shtetit tonë viteve të fundit dhe më qëllim të harmonizimit të tyre me aktet e reja ligjore dhe nënligjore.
Nuk ka asnjë arsye që ky statut të mos votohet, as kinse arsyet e disa individëve që me këtë statut po rritet numri i drejtorive. Rritja e numrit të drejtorive ka ndodhur edhe gjatë mandatit të kaluar dhe kështu rritja e numrit të drejtorive nuk ka ndikuar dhe nuk ndikon në shpenzimet e përgjithshme në nivel komune.
Nuk është varfëruar dhe nuk varfërohet buxheti i komunës, pasi që përcaktimi i buxhetit sipas kategorive ekonomike bëhet në nivel të komunës dhe jo drejtorive.
Po ashtu rritja e numrit të drejtorive veçse është bërë me miratimin e organogramit të komunës sonë në vitin 2019 nga asambleistët e Kuvendit Komunal dhe po ashtu për çdo vit Kuvendi i Komunës ka miratuar buxhetin e komunës duke përfshirë 11 drejtoritë ekzistuese sipas organogramit.
Vlen te theksojmë faktin së kemi shembull që komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës kanë numër më të vogël të popullsisë sesa komuna jonë dhe kanë numër të njëjtë të drejtorive apo edhe më shumë. Pra kjo nuk duhet të përdoret nga disa asambleistë si pretekst për mos votim të këtij statuti.
Statuti komunal është pasqyrë e një komune dhe si i tillë duhet të përditësohet dhe të ndryshohet konform ligjeve të Republikës sonë, andaj ftoj asambleistët e komunës sonë, të zgjedhurit e popullit që ta votojnë unanimisht këtë Statut dhe t’i japim komunës sonë një pasqyrë të denjë siç edhe e meriton, duke anashkaluar çdo barrierë politike apo inate partiake.
Të nderuar asambleistë të punojmë për të mirën e përgjithshme dhe jo për interesa të ngushta çfarëdo qofshin ato, ta forcojmë pozitën e komunës sonë në mesin e komunave më të përgatitura ligjërisht.
Vetëm së bashku, duke vënë në rend të parë interesin e përgjithshëm mund të arrijmë të jetësojmë amanetin e heronjve e të rënëve tonë për Liri e Pavarësi!