Kryeministri Kurti kujton 2 korrikun e vitit 1990

Para 31 vitesh, nën rrethimin e hekurt të tankeve e autoblindave të regjimit të Serbisë, triumfoi vullneti i lirë qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë.
Para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, 111 delegatë miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e pavarur, si pararendëse e Republikës së parë të Kosovës.
Nënshkrimi i kësaj deklarate, nga 114 delegatë, shprehte kërkesën e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje politike në ish Jugosllavi.
Sot kujtojmë veprën e guximshme të delegatëve nënshkrues, që i mveshi ata me petkun e lavdisë së përjetshme.
Në këtë 2 korrik të parë pa të, kujtojmë atdhedashësin artist, Adem Mikullovci, deputet i të dy republikave të Kosovës: asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, dhe të 17 shkurtit 2008.
Shëmbëlltyra e tyre, udhërrefyes për ne.