Nga nesër pa viza

Nga 1 janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në atë që njihet si zona Schengen, e përbërë prej 27 shtetesh, shumica e tyre anëtare të Bashkimit Evropian.
Nesër, në ditën e parë pa viza, Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizon udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, do të urojnë dhe përshëndesin qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza, dhe do të mbajnë konferencë për media.
Konferenca mbahet me datën 1 janar 2024 në Aeroportin “Adem Jashari” në Terminalin kryesor në ora 10:00.
Për çka shërbejnë udhëtimet pa viza?
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe assesi për qëllime punësimi.
Rregullat për lëvizje të lirë përcaktojnë qartë se në rast të shkeljes së tyre, ka gjobë financiare dhe ndalim të hyrjes në Schengen deri në pesë vjet.
Abuzime janë qëndrimi më shumë se 90 ditë brenda gjashtë muajsh në Schengen, punësimi pa leje, përfshirja në veprimtari kriminale e të tjera.
Udhëtimet pa viza mund të realizohen edhe për takime biznesi apo programe studimesh, por periudha e qëndrimit në zonën Schengen nuk duhet t’i kalojë 90 ditë brenda gjashtë muajsh.