Lajme

Bislimi: As që është dashur të priten rezultatet sot

Bislimi tha se në takimin e sotëm është diskutuar për Marrëveshja e 27 shkurtit, Asociacioni dhe çështjet tjera  që lidhen me vizitën e Lajçakut në rajon.

“Nuk është dashtë të priten rezultatet sot. Ky takim ka qenë për ta bërë të qartë se ku ndodhet procesi i dialogut dhe se ku duam të shkojmë. Pra është diskutuar për gjithçka që ka të bëjë me Marrëveshjen e 27 shkurtit”, deklaroi Bislimi, sipas të cilit, situata në veri nuk ka qenë fare pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm.

“Sekuentimi për ne ka qenë pjesë qendrore e takimit. Kemi pasur propozimet tona dhe vërejtjet tona…pala serbe ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet. Situata në veri nuk është trajtuar fare. Mirëpo kanë qenë dokumentet të cilat i ka sjell Lajçak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë”, ka thënë Bislimi.

Zëvendëskryeministri kosovar po ashtu konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, emisari Lajçak ka dërguar në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, tha Besnik Bislimi.

Ky i fundit tha se Mirosllav Lajçak, emisari i BE-së për bisedime, ka thënë se në është gabim teknik ajo që është thënë në facebook, që drafti i Asociacionit të jetë pikënisje e Asociacioni, “por akti i prezantimit të jetë pikënisje, ashtu siç ka thënë edhe pala kosovare”.

“Nga pala serbët kanë thënë se nuk iu intereson as Kushtetuta e Kosovës e as letra e Mogerinit (ish shefes së BE-së), por vetëm ajo që ka që thënë Isa Mustafa, ish kryeministri i Kosovës në vitin 2015”, tha Bislimi.

Mbi takimet e radhës dhe vijimësinë e procesit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se pala kosovare ka precizuar sot se si do të ecet tutje.

“Mendoj që Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës. Kjo vlen edhe për Grupin Punues, apo Komitetin e Përbashkët për Personat e Pagjetur. Në draftin e dërguar nga z. Lajcak thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik. Tash data 28 maj për ne nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi, për arsye se kemi pas një proces demokratik dhe është shumë normale që ky proces demokratik të finalizohet me aktin e emërimit dhe dhënies së betimit nga kryetarët aktual. Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak.’’

Në pyetjen për komunat e veriut pa zgjedhjeve dhe mundësinë e eskalimit të situatës, Bislimi tha se ekziston frika se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet.

“Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë.’’ përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.

Related Articles

Back to top button