Shënohet dita Botërore e Diabetit

Dita Botërore e Diabetit
Diabeti Mellitus është një sëmundje kronike dhe shfaqet kur pankreasi nuk prodhon insulinë ose prodhon një sasi të pakët insuline. Insulina, pra ky hormon që prodhohet nga pankreasi, lejon glukozën të hyjë në qelizat e trupit, duke na dhënë energjinë e nevojshme për të punuar, dhe për të jetuar normalisht, pra është vitale për jetën. Niveli normal i glicemisë esëll ne gjak është 70-110 mg/dl dhe dy orë pas ngarkesës me glukozë 140 mg/dl.
Përqindja e personave të prekur nga diabetit mellitus (apo diabeti i sheqerit) po rritet në të gjithë botën. Ekzistojnë disa tipe të diabetit, por më të shpeshtë janë:
Diabeti tip 1 (ose insulino-vartës)
Diabeti tip 2
Diabeti gestacional ( i shtatzanisë).
Simptomat më të zakonshme të diabetit janë:
-etje e shtuar,
-urinim i shpeshtë, sidomos gjatë natës
-tharje e gojës,
-humbje e pashpjegueshme në peshë,
-infeksione të përsëritura,
-lodhje.
Ekzistenca e këtyre simptomave nuk do të thotë domosdoshmërisht që ju jeni me diabet, por në raste të tilla ju duhet të kontaktoni menjëherë mjekun specialist për tu konsultuar mbi rastin tuaj. Konsultimi në kohë me mjekun specialist ju ndihmon të paraprini komplikacione të mëtejshme dhe ç’ka është më e rëndësishmja ju ndihmon të jetoni një jetë të shëndetshme.
Ёshtë e rëndësishme të theksohet se personat me diabet mund të mos kenë shenja klinike dhe për këtë arsye është e këshillueshme të kryhet kontrolli i glicemisë (sheqerit) në gjak.
Kontroli i nivelit të glicemisë rekomandohet tek të gjithë të rriturit. Personat me faktor rreziku për diabet janë:
-Të rriturit me mbipeshë trupore dhe obezë,
-Personat që bëjnë jetë sedentare (joaktive),
-Personat që kanë të afërm me diabet, pra kanë histori familjare,
-Femrat që kanë lindur fëmijë mbi 4 kg, ose kanë patur në shtatzanitë e mëparshme diabet shtatzanie,
-Personat që vuajne nga HTA (Hipertension arterial),
-Personat që vuajnë nga semundje të zemrës.
Pse është i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i personave me diabet?
Në momentin e diagnostikimit të diabetit:
– 50 % e personave kanë edhe sëmundje të zemrës
– 20 % kanë retinopati diabetike (dëmtime të syve)
– 8-10 % kanë nefropati (dëmtime të veshkave) apo neuropati(dëmtime të nervave)
Pra, mosdiagnostikimi dhe mostrajtimi në kohë i diabetit mund të çojë në dëmtimin e organeve dhe për këtë arsye është e rëndësishme të diagnostikoheni sa më shpejt të jetë e mundur.