Lajçak të marten viziton Prishtinën

Nga Qeveria e Kosovës e konfirmuan lajmin për Radion Evropa e Lirë, por nuk u dhanë detaje rreth agjendës së diplomatit.
Të hënën, Lajçak iu adresua ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
“Jam mirënjohës për interesin e tyre të sinqertë dhe mbështetjen e fuqishme. Diskutimi i sotëm konfirmoi se dialogu është qartazi i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në një postim në Twitter.
Ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën të hënën për të diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny, si dhe situatën në Bjellorusi.
Dialogu Kosovë-Serbi, që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
BE-ja, në disa raste, e ka bërë të qartë për Prishtinën dhe Beogradin se e ardhmja e tyre evropiane lidhet me përparimin e bërë në dialog.
Muajin e kaluar, dy vendet kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e cila është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.
Kosova insiston se dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë me Serbinë, ndërsa kjo e fundit thotë se nuk do ta njohë Kosovën shtet.