Lajme

Sami Lushtaku kujton rënien e Mujë Krasniqit

Ishte 14 Dhjetori i vitit 1998. Ditë e hënë. Kohë e acartë e borë e madhe kishte rënë në bjeshkët e Pashtrikut.

Një grup prej 140 pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komanduar nga Mujë Krasniqi (Kapuçi), sapo ishin futur në Kosovë duke kaluar kufirin mes shqiptarëve.

Udhëtimi i tyre kishte filluar në Cahan të Shqipërisë rreth 20 orë më parë. Të lodhur nga rruga e gjatë dhe e vështirë, të mërdhirë nga i ftohti i madh e të rënduar nga pesha e armatimit që po e bartnin mbi supet e tyre, ata po lëviznin ngadalë nëpër ecajaket e kodrinave të Pashtrikut.

Qetësinë e kolonës së luftëtarëve të lirisë e prishi breshëria e armëve të armikut, të cilët kishin zënë mirë pozicionet e pritës. Kundërpërgjigjja e zjarrit nga ana e luftëtarëve të UÇK-së ishte e menjëhershme. Ajo zgjati për disa orë deri në tërheqjen e vështirë të tyre, me shumë të plagosur në krahë.

Për pasojë, 40 luftëtarë me në krye Komandantin Mujë Krasniqi kishin rënë dëshmorë. Shumë të tjerë ishin plagosur e disa ishin zënë rob nga armiku.

Kjo ishte humbja më e madhe për UÇK-në pas rënies së familjes Jashari. Ky udhëtim dhe kjo sakrificë është vetëm njëra nga historitë e shumta të luftëtarëve të UÇK-së dhe popullit të Kosovës deri në liri.

Dhe këto histori ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë!

Ju qoftë lavdi përherë! SL

Related Articles

Back to top button