LajmeShëndetësi

Lul Raka Varianti i ri i SARS – COV-2

Dr. Lul Raka në një postim në rrjetin social facebook ka sqaruar me hollësisht variantin e ri të virusit SARS-COV-2 që është shfaqur në muajin Nëntor të 2020 në Britanin e Madhe .

Postimi i plotë i Dr.Lul Rakës:

VARIANTI I RI I SARS-COV-2

EPIDEMIOLOGJIA

Gjatë javëve të fundit, Britania e Madhe është përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me COVID-19, e cila u shoqërua me shfaqjen e një varianti të ri në këtë zonë në Nëntor 2020. Rastet e raportuara të COVID-19 në lidhje me variantin e ri janë përqendruar në Kent dhe më gjerë në Anglinë Juglindore .

Ky variant i ri i SARS-CoV-2, referuar si SARS-CoV-2 VUI 202012/01 (“Variant Under Investigation”, viti 2020, muaji 12, varianti 01), është identifikuar përmes sekuencionimit gjenomik në Mbretërinë e Bashkuar. Ky variant i ri përcaktohet nga mutacione të shumta të proteinave të virusit, të cilat ndodhen në sipërfaqen e tij dhe kanë formën e xhembave apo thumbave (delecionet 69-70, 144, N501Y, A570D, D614G, P681H, T716I, S982A, D1118H) si dhe mutacionet në rajone të tjera gjenomike.

Raste të tilla janë raportuar edhe në Danimarkë (9 raste), Belgjikë (4 raste) dhe Holandë e Australi me nga një rast.

SI U KRIJUA VARIANTI I RI I VIRUSIT SARS-COV-2?

Ende nuk dihen detajet e plota të patogjenezës së këtyre ndryshimeve, por ekzistojnë disa supozime fillestare të shkencëtarëve.

Një shpjegim i mundshëm për shfaqjen e variantit të ri është infeksioni i zgjatur me SARS-CoV-2 në një pacient të vetëm, potencialisht me imunokompetencë të zvogëluar. Infeksioni i tillë i zgjatur mund të çojë në akumulimin e mutacioneve të quajtura “escape mutations”.

Një shpjegim tjetër i mundshëm mund të jetë procesi i adaptimit të virusit që ndodh në një specie të ndryshme të kafshëve të ndjeshme dhe më pas kalon te njerëzit. Kjo çoi në shfaqjen e një varianti me mutacione të shumta të proteinave xhembore (duke përfshirë mutacionin R45D Y453F dhe fshirjen 69-70) në Danimarkë gjatë transmetimit ndërmjet kafshëve të grupit të mustelidëve. Britania e Madhe i ka raportuar ECDC dhe Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën se nuk ka ndonjë lidhje të qartë epidemiologjike ndërmjet variantit të ri dhe kafshëve.

Së fundmi, është gjithashtu e mundur që varianti i ri të jetë shfaqur përmes qarkullimit në vendet, të cilat nuk kanë mundësi për ta bërë sekuencionimin gjenetik.

ÇFARË NDIKIMI MUND TË KETË NË SHËNDETIN E NJERIUT ?

Informatat e tanishme bazohen në të dhënat e kufizuara dhe vlerësimi do të përditësohet posa të sigurohen informata dhe detaje të reja shkencore.

Viruset vazhdimisht ndryshojnë përmes mutacionit dhe shfaqja e një varianti të ri është një dukuri e pritshme. SARS-CoV-2 është ARN virus dhe mutacionet ndodhin si fenomen natyror gjatë shumëzimit të virusit. Tashmë ka pasur afër 4000 mutacione në proteinën xhembore, por vetëm një numër shumë i vogël i tyre kanë patur rëndësi në ndryshimin e virusit.

Shumica e mutacioneve që shfaqen tek virusi, nuk do t’i japin ndonjë përparësi selektive virusit. Sidoqoftë, disa mutacione ose kombinime të mutacioneve mund t’ia sigurojnë virusit një përparësi selektive, siç është transmetimi i rritur përmes rritjes së lidhjes me receptorët.

A MUND TË PËRHAPET MË GJERË KY VARIANT?

Analizat e para në MB sugjerojnë se varianti i ri përhapet shumë më shpejt duke rritur numrin riprodhues (R) me 0.4 ose një rritje të përhapjes deri në 70%.

Ky variant i ri është shfaqur në një periudhë të vitit kur tradicionalisht shtohen dukshëm kontaktet familjare, kontaktet shoqërore dhe udhëtimet për shkak të festave të fundvitit.

A NDIKON NË DIAGNOZËN E SARS-COV-2?

Britania e Madhe raporton se mutacioni përmes delecionit 69-70 në proteinën xhembore të variantit të ri ka dhënë rezultate negative të PCR nga analizat e gjenit S-RT-PCR në disa laboratore.

Analizat laboratorike që përdorin gjenin S nuk përdoren gjerësisht në diagnostikë. Fokusimi vetëm në gjenin S për zbulimin primar të infeksionit me SARS-CoV-2 duke përdorur RT-PCR nuk rekomandohet sepse mutacionet ka më shumë të ngjarë të ndodhin në këtë gjen.

A MUND TË SHKAKTOJË SËMUNDJE MË TË RËNDË?

Informacioni në dispozicion në lidhje me ashpërsinë e variantit të ri të virusit është i kufizuar. Deri tani nuk është raportuar se ky variant ka një shkallë më të lartë sëmundshmërie, vdekshmërie dhe as nuk prek më shumë grupe të veçanta. Rastet me variantin VUI 202012/01 janë identifikuar kryesisht në njerëz më të rinj se 60 vjeç.

Mutacionet që e bëjnë virusin më infektiv nuk është e thënë ta bëjnë më të rrezikshëm. Momentalisht, nuk ka dëshmi se ky variant është klinikisht më i rrezikshëm sesa variantet paraprake. Por, vlerësimi sfidohet nga fakti se shumica e rasteve janë raportuar tek personat nën 60 vjeç, të cilët zakonisht kanë më pak gjasa të kenë simptomatologji të rëndë.

Asnjë nga variantet e përshkruara më parë të SARS-CoV-2 nuk është treguar se shkakton rritjen e ashpërsisë së infeksionit. P.sh. varianti D614G që pat shkaktuar përhapje më të madhe gjatë verës nuk ka qenë shkaktar i shfaqjes së sëmundjes me pasqyrë më të rëndë klinike.

A MUND TË NDIKOJË NË RRITJEN E RI-INFEKSIONEVE?

Bazuar në numrin dhe vendndodhjen e mutacioneve të proteinave xhembore, duket se ka gjasë që do të shihet një pakësim i neutralizimit nga antitrupat, por ende nuk ka dëshmi se ka një ndikim që rezulton në rritjen e rrezikut për ri-infektim.

A DO TË NDIKOJË NË EFEKTIVITETIN E VAKSINAVE?

Varianti i ri i virusit shfaq disa mutacione në proteinën xhembore, përfshirë këtu edhe vendin e lidhjes së receptorit. Shumica e vaksinave të reja bazohen në sekuencën e proteinave xhembore.

Por, vaksinat prodhojnë antitrupa ndaj shumë regjioneve të proteinës xhembore, prandaj është pak e besueshme se një ndryshim i vetëm do ta bënte vaksinën më pak efikase.
Është e domosdoshme të monitorohen ndryshimet në këtë proteinë midis llojeve qarkulluese SARS-CoV-2 dhe të vlerësohen ndryshimet e mundshme antigjenike. Do të jetë e rëndësishme të kryhet mbikëqyrja e efektivitetit në terren të vaksinave COVID-19 në përdorim.

ÇFARË MASASH DUHET NDËRMARRË PËR PARANDALIM?

Qeveria e Skocisë njoftoi për një ndalesë të udhëtimeve ndërmjet Skocisë dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar nga 26 Dhjetori. Holanda lëshoi një ndalim udhëtimi nga MB prej 20.12.2020, kurse Belgjika ndaloi fluturimin dhe udhëtimin me tren për në MB nga 20.12.2020.

Nevojiten masa që ndërmerren me kohë të duhur në përpjekje për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e variantit të ri:

• Personat që kanë çfarëdo lidhje epidemiologjike me rastet me variantin më të ri të virusit ose histori udhëtimesh në zonat e prekura duhet të identifikohen menjëherë për t’u testuar, izoluar dhe ndjekur kontaktet e tyre.
• Të respektohen rreptësisht masat parandaluese.
• Të shmangen udhëtimet nga zona e prekur ose në zonën e prekur dhe të shmangen aktivitetet sociale joesenciale.
• Laboratorët duhet të rishikojnë performancën e PCR dhe të shmangin diagnozën që bazohet vetëm përmes gjenit S.
• Duhet të mbikqyren rastet e dyshuara të ri-infektimit të COVID-19, duke bërë sekuencionimin e menjëhershëm të tyre.
• Me zbatimin e vaksinimit, duhet të sigurohet një monitorim i ngushtë i individëve të vaksinuar COVID-19 për të identifikuar dështimet e mundshme të vaksinimit.

https://www.ecdc.europa.eu/sites/default/files/documents/SARS-CoV-2-variant-multiple-spike-protein-mutations-United-Kingdom.pdf

Related Articles

Back to top button