Sport

Kosova fiton një pikë në Turqi

Kombëtarja e Kosovës (femrat) e ka arkëtuar një pikë të rëndësishme si mysafire në përballje me Turqinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Ndeshja e zhvilluar në Mangavat, përfundoi me shifrat 0:0. Në përgjithësi u zhvillua lojë e hapur, ku të dyja ekipet shfaqën dëshirë për fitore. Pjesa e parë ishte i baraspeshuar sa i përket cilësisë por jo edhe forcave në fushë, ngase prej minutës së 35-të Kosova luajti me 10 futbolliste, meqë pas 2 kartonëve të verdhë u përjashtua shtylla e mbrojtjes sonë Lidridonë Syla. Megjithëkëtë, Dardanet ishin të barabarta dhe e ruajtën portën e vet dhe kjo pjesë u mbyll me rezultat 0:0. Pjesa e dytë ishte shumë e fortë, futbollistet e Turqisë me të gjitha forcat u munduan të shënojnë fitore, duke u bazuar në forcën numerike në fushë, por nuk arritën të pushtojnë kështjellën e Dardaneve, e cila po mbrohej me vetëmohim nga portierja Florentinë Kolgeci. Gjithsesi të gjitha lojtaret ishin në nivelin e duhur madje përtej mundësive dhe duke pasur parasysh se nga minuta e 35-të luajtën me një lojtare më pak, atëherë edhe ky barazim e ka shijen e fitores. Pas këtij barazimi Kosova arrin kuotën e 10 pikëve dhe renditet në pozitën e katërt, derisa Turqia mbetet në pozitën e pestë me dy pikë më pak. Do theksuar se para ndeshjes futbollistet dhe shtabin teknik të Kombëtares A të femrave i kanë përshëndetur dhe u kanë dhënë kurajë kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave njëherësh anëtare e KE, Vjollcë Krasniqi, nënkryetari Agim Dibrani dhe anëtari i KE-s, Agim Nura.

Related Articles

Back to top button