Presidentja Osmani dhe ish Presidentet në ditën e Presidentit

Në Ditën e Presidentit, së bashku me tre ish-presidentët, z.Sejdiu, znj.Jahjaga dhe z.Pacolli, nderuam kontributin e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, i cili kishte vendosur që 24 maji të shënohej si Dita e Presidentit, duke marrë për bazë rëndësinë historike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992. Kurse në Shtëpinë e pavarësisë, bashkë me tre presidentët e mëparshëm, pamë se sa impakt të madh në procesin e ndërtimit të shtetit të Kosovës kishte kjo shtëpi e vogël me hapësirë.
Më pas, vizitova familjen e Presidentit Rugova, të cilët i falënderova për kontributin e madh të arkitektit të pavarësisë së Kosovës. Zonjës Fanë Rugova, ia dorëzova një kopje të vendimit për themelimin e Bibliotekës Presidenciale, e cila do ta bartë emrin Dr. Ibrahim Rugova.
Në Obiliq, vizitova shkollën ‘Ibrahim Rugova’ ku dëgjuam esetë e shkëlqyeshme të nxënësve kushtuar Ditës së Presidentit, ndërkaq në Presidencë, bashkë me Duan e Andën pritëm fëmijë të komuniteteve të ndryshme të cilët si kuzhinierë të vegjël, me ndihmën e Jusuf Islamit, përgatitën smoothie të shijshme e të shëndetshme. I falenderoj të gjithë që na e zbukuruan dhe i dhanë kuptim kësaj dite.