Lajme

U mbajt ceremonia e pranimit-dorëzimit të donacionit të SHBA-së me automjete taktike të tipit ASV

 

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së mbajtën sot ceremoninë e organizuar për pranim-dorëzimin e donacionit të SHBA-së me automjete taktike, të blinduara, të tipit ASV.
Në këtë ceremoni morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe autoritete të larta ushtarake dhe civile vendore e ndërkombëtare.
Në fjalimin e saj drejtuar të pranishmëve, Presidentja Vjosa Osmani, theksoi se këto automjete të sapo pranuara janë dëshmi se FSK po zhvillohet dita-ditës në një forcë bashkëkohore, e aftë që t’i shërbejë vendit dhe të sigurojë paqen e qëndrueshme jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
“Sot është një ditë e veçantë për popullin e Kosovës ngaqë partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ua dhurojnë forcave tona të armatosura 55 automjete ushtarake në vlerë të madhe, të cilat do t’i ndihmojnë forcat tona të forcojnë më kapacitetet e veta dhe ta thellojnë edhe më tej ndërveprimin e ushtrisë sonë në ushtritë aleate” tha Presidentja Osmani.
Gjithashtu, edhe Kryeministri Albin Kurti, falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes, të përditësojmë kornizën ligjore dhe të ndërtojmë kapacitetet operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jenë të përputhshme dhe të ndër-veprueshme me NATO-n dhe me qëllim përafrimin dhe anëtarësimin në këtë organizatë”, tha Kryeministri Kurti.
Ministria e Mbrojtjes bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim me SHBA-në është në proces të realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së.

Related Articles

Back to top button