Lajme

“Shqiptar mos rri po duku”/ Majko apel për regjistrimin në RMV

Zv.kryeministri i parë i Maqedonise së Veriut, Artan Grubi, në vijim të vizitës së tij në Tiranë, është takuar me ministrin e Shtetit për Diasporen, Pandeli Majko.
“Kënaqësi e veçantë të takohem me mikun tim, ministrin Pandeli Majko. Të gjithë e kujtojnë kontributin e tij në Kosovë. Jam këtu sepse mendoj se Zoti Majko ka rolin kyç për të ndihmuar në regjistrimin e mërgatës sonë. Ky proces regjistrimi është jetik në Maqedoninë e Veriut, sepse të drejtat e komuniteteve në Maqedoninë e Veriut varet nga përqindja në të cilën ato janë të regjistruar në Censusin. Pas rreth 20 viteve kemi marrë përgjegjësinë për të realizuar regjistrimin e popullsisë, në vitin 2021 kemi qenë 25.7 për qind, ndërsa tani do të varet nga puna që ne do ta bëjmë bashkërisht për të nxitur mërgatën tonë që të regjistrohen përmes aplikimit online, proces që merr vetëm pak minuta kohë”, u shpreh zv.kryeministri Grubi.
Majko e përsëriti disa herë gjatë fjalës së tij se ky nuk është një proces burokratik.
“Ka 24 orë që fushata elektorale është gjysmë e pezulluar, sepse të gjithë faktorët politik në Shqipëri janë të orientuar nga bashkimi dhe thirrja e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për regjistrim. Ky nuk është një proces burokratik. Shqiptarët janë një popull i refuzuar, një popull që i janë refuzuar të drejtat, i është refuzuar edhe numërimi. Numërimi për shqiptarët nuk është një proces burokratik, por është një proces që ka të bëj me të drejtat, në shtetin e tretë që ka më shumë shqiptarë në trojet e veta etnike, Maqedonia e Veriut”, tha Majko.
E në fund, Majko kishte një apel për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“Ky nuk është një numërim thjesht matematikor, ky është një numërim që i bën shqiptarët kudo që janë, që me anë të regjistrimit do i japin të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe flamurit shqiptarëve, ndaj ashtu siç thoshte Çajupi i madh “Shqiptar mos rri po duku”. Kam vetëm një thirrje: Ju lutem, ju lutem të qenit shqiptar, të numëruarit si shqiptar nuk është një proces burokratik, por është një akt i madh patriotik.”

Related Articles

Back to top button