Lajme

Në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit

Sot u shënua 76 vjetori i çlirimit të Aushvicit, Dita Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit, ngjarje kjo e organizuar nga Bashkësia Hebreje Bet Israel Kosova.

Në këtë ditë, nderojmë kujtimin e miliona krijesave të Zotit, nënave dhe vajzave, baballarëve dhe djemve, të cilët humbën jetën gjatë një periudhe nënçmimi dhe çnjerëzimi të pashembullt.

Të flasësh për gjenocidin, ne si shqiptar e dijmë shumë mirë se çfarë do të thotë, sepse ne ende i kemi plagët e hapura dhe kujtesën e freskët nga gjonocidi i kryer nga pushtuesi serb.

Sot kujtojmë se çfarë ndodh kur klithma e pafuqishme kërkon ndihmë, dhe të fortit refuzojnë të përgjigjen.

Pra, sot është dita kur kujtojmë dhe nderojmë gjithashtu edhe ata që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjët. Gjatë Holokaustit, qindra hebrenj gjetën strehim në Kosovë dhe Shqipëri, një nga vendet e pakta me shumicë myslimane të Evropës. Kosova dhe Shqipëria ishin një nga të vetmet vende në Evropë që kishin më shumë hebrenj në fund të luftës, sesa në fillim të saj.

Unë ndihem krenar që jam imam i një shteti ku antisemitizmi nuk ka ekzistuar kurrë si ideologji shoqërore dhe politike, por edhe i një kombi që shpëtoi dhe mbrojti mijëra jetë hebrenjësh, dhe njëkohësisht qëndroi në anën e duhur, në kohën e duhur, dhe mori vendimin e duhur. Çfarë bëri populli shqiptar, shumë popuj evropian nuk e bënë.

Ne si shoqëri duhet të qëndrojmë së bashku, krah për krah me njëri tjetrin dhe të fortë kundër racizmit, antisemitizmit dhe islamofobisë. Kjo është një luftë që duhet ta zhvillojmë papushim. Duke synuar drejtësinë ne mund ta arrijmë paqen e plotë, dhe kështu nuk duhet heshtur ndaj të gjithë atyre që mbjellin urrejtje dhe lutem që gjenocide të tilla të mos përsëriten kurrë më në asnjë vend të botës.

Labinot Maliqi

Related Articles

Back to top button