Lajme

Shkruan Shuquri Sejdijaj :LUM BORLENGA KEN KA MRENA, BACË ADEMIN ME SHTAT´ ZEMRA

LUM BORLENGA KEN KA MRENA, BACË ADEMIN ME SHTAT´ ZEMRA
Mars 2008,Borlänge

Epopeja e Jasharajve ka kaluar kufijtë kombëtar. Ajo ka mbërri edhe në mjediset e krahines së Dalarnës në Suedi. Mergimtarët shqiptar të vendosur këtu, e quajnë këtë krahinë si Drenica e Suedisë. Dhe për këtë kanë të drejtë. Së pari, banorët e kësaj krahine në Suedi janë të njohur si njerëz kryengritës ndaj padrejtësive gjë që për shumëçka përputhet me karakterin e drenicakve të
Kosovës. Dhe së dyti, tash dy vite, zyrtarët e komunës në Borlenge e kanë futur në gjirin e vet komnadantin legjendar Adem Jashari duke vendosur shtatoren e tij në sallën e qeverisë komunale.

Si erdhi statuja e Adem Jasharit në Borlänge?

Për të mësuar detajet e kësaj historie ditë më parë vizitova këtë komunë. Tek hyrja e komunës takohem me politikanen e komunës Mariann Nordlëf, ndërsa mua më shoqërojnë edhe Jashar Jashari, i fisit të Jasharajave nga Prekazi dhe Naser Rexha, që të dy me punë dhe qëndrim në Borlenge.

Marian Nordlëf është një zonjë tipike suedeze, e thjeshtë dhe e dashur, komunkative. Megjithëse ka mbushur 62 vite, ajo duket plotë gjallëri. Qëllimin e vizitës sonë e kishte pranuar me kënaqësi dhe duke ngjitur shkallët për në katin e dytë ku ndodhet salla e qeverisë komunale e pyet Jasharin për disponimin pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo sjell çelësin dy herë dhe para nesh hapet salla e qeverisë komunale. Në dritaren e mesme qëndron shtatorja e Adem Jasharit, një punim special.

– Qe, këtu rri Adem Jashari, thot Mariann Nordlëf, dhe rregullon ca perdet. E solla unë,thot ajo.
– Ka qenë marsi i vitit 2006. Për grupin tonë që po vizitonim Kosovën për herë të parë ishte mjaft tronditëse, sepse aty vetëm para pak vitesh ishte bërë luftë. Një tronditje të këtillë unë se kisha përjetuar më parë, mendtë kah s´më shkonin, thot Nordlëf.

– Tani e kuptoj rëndësinë e pavarësisë për Kosovën dhe e di se pse të gjithë shqiptarët e Kosovës ishin futur në këtë betejë.

– Gjatë qëndrimit në Kosovë ne vizituam familjen e Adem Jasharit dhe pamë me atë rast shtëpitë e bombarduara. Ishte jashtazakonisht e tmerrshme. Pastaj vizituam edhe varrezat, ishte shumë trishtuese, fakti se kishte fëmijë e pleqë të vrarë, gjë që për një njeri në Suedi kjo fare nuk mund të kuptohet madje as të mirret me mend. Shtatoren e Adem Jasharit e morëm për të ruajtur kujtimin e Kosovës, thot politikanja e komunës në Borlenge, Mariann Nordlëf.

Në delegacionin suedez që kishte vizituar Prekazin para dy vitesh kishte qenë edhe Christer Wahlbäck.

– Më herët nuk kam ditur shumë, por nga vizita që kam bërë në Kosovë, nga historia që më kanë treguar dhe dëshmitë konkrete që pashë, mendoj shpesh dhe pyes veten, si ka mundësi që dikush të sillet aq brutalisht ndaj njerëzve liridashës?!

– Kurse ajo që më imponoi më së shumti tek shqiptarët është pikrisht kjo: ata nuk shfaqnin kërkesa për hakmarrje, më shumë bënin fjalë për pajtimin, thot Wahlbäck.

Vendosja e shtatores speciale të Adem Jasharit në zyrën e qeverisë komunale në Borlenge të Suedisë është një mbështetje e madhe morale për afër 200 mërgimtarët shqiptar që jetojnë e punojnë në këtë qytet por edhe për gjithë shqiptarët e tjerë anekënd Suedisë, mbi 40 000 sish.

Valbona Shala, referente në Borlenge, thekson se e gjithë kjo është një simbolikë e mbështetjes së fortë që kjo komunë i bën mërgimtarve shqiptar në veçanti por edhe mërgimtarve në përgjithësi. Për çdo vit në muajin mars, grupe fëmijësh me prindër vizitojnë komunën dhe shohin statutjën e komandantit Adem Jashari.

Jashar Jashari është i fisit të Jasharjave.

– Ndjehem krenar që komuna ku jetoj dhe punoj ka pranuar statujën e bacit Adem. Do të përpiqemi të jemi ambasador të Kosovës në këtë qytet ku imazhi ynë si komb nderohet me respekt, thot ndër të tjera Jashar Jashari.

Kurse Naser Rexha na thot:

– Po t´isha rapsod këngën do ta nisja kështu, Lum Borlenga ken ka mrena, bacë Ademin me shtatë zemra.

Komuna e Borlänges ka skicuar tani një plan të bashkëpunimit me komunën e Skënderajt, tregon politikanja Mariann Nordlëf.

– Ne dallohemi me veprimtari për fëmijë ndaj dëshira dhe synimi ynë mbetet gjetja e mundësive për bashkëpunim me Skënderajn në këto fusha, thot ajo.

Shuquri SEJDIJAJ, Stockholm

Related Articles

Back to top button