Lajme

Kur epidemia përdorej si justifikim për genocid e holokaust.

Si u masakruan 80% e popullit Shqiptar dhe Hebre, gjate djegejes se Shkupit (25-28 tetor 1689)

Kur epidemia përdorej si justifikim për genocid e holokaust.

Nga Prof.Dr.Ardian Muhaj – Historian

Dështimi i osmanëve në Vjenë i dha shtysë krijimit një aleance të fuqishme mes Austrisë, Polonisë dhe Venedikut. Në verën e vitit 1689 osmanët po përballeshin me mundësinë e humbjes së pjesës më të madhe të Rumelisë. Situata ishte aq e rëndë sa që një numër i madh myslimanësh dhe jomyslimanësh osmanë nisën të emigronin drejt Anadollit për t’i shpëtuar masakrave, ndërkohë që një pjesë e jomyslimanëve nisi të mbështesë kundërshtarët e osmanëve.
Në tetor austriakët kishin mbërritë në Shkup dhe tashmë urgjenca e një kryeveziri të aftë e me autoritet bëhej çështje e pashmagshme. Kjo çështje do të zgjidhej tepër vonë, vetëm në fillim të nëntorit kur në krye të qeverisë osmane do të vinte shqiptari nga dera e Qyprilinjve, Fadil Mustafa Pasha, një personalitet model i dijes, humanizmit dhe mbështetës i palëkundur i tolerancës e bashkëjetesës ndërfetare e ndëretnike.
Kulmi i betejës së Kosovës është djegja e qytetit të Shkupit dhe masakra e banorëve të saj nga forcat austriake të udhëhequra nga gjenerali Italian Enea Silvio Piccolomini, me prejardhje nga një familje italiane që kishte nxjerrë dy papë. Djegja e qytetit nga forcat ushtarake austriake që filloi më 26 tetor 1689, vazhdoi për disa ditë, duke bërë shkrumb e hi pjesën më të madhe atij qytetit të lulëzuar dhe duke shkatërruar ndërtesat më të bukura dhe më madhështore të tij. Vetëm disa ndërtesa të ndërtuara me gurë, si kështjella dhe një pjesë e kishave dhe xhamive i mbijetuan shkatërrimit. Është interesant të theksohet se lagja hebreje u shkrumbua plotësisht, me sinagoga, banesa e shkolla.
Përveç se një djegje masive kjo rezultoi në një masakër të vërtetë për popullsinë civile. Tetëdhjetë për qind e popullsisë civile pa tmerrin e djegjes për së gjalli. Nga 60 mijë banorë që kishte, 50 mijë, burra, gra, pleq e fëmijë u dogjën për së gjalli dhe qyteti e humbi rëndësinë dhe lulëzimin që kishte pasur. Popullsia civile u zu në befasi për shkak të avancimit të shpejtë të forcave austriake, të cilat marshuan pothuajse pandalur nëpër Kosovë, duke mbërritur në 25 tetor në Shkup, menjëherë sapo kishin marrë kështjellën e Kaçanikut. Popullsia paqësore e qytetit nuk bëri asnjë rezistencë dhe madje edhe garnizoni osman ishte tërhequr më herët. Megjithatë kjo nuk e ndaloi komandantin italian të forcave austro-serbe, të kryejë një nga masakrat më të rënda në historinë e Europës, të padëgjuar që nga koha e fushatës mongole të vitit 1242-1243. Në këtë masakër ai natyrisht kishte mbështetjen e trupave serbe që ishin bashkuar me forcat austriake në Kosovë.
Shkupi ishte zhvilluar vrullshëm deri në atë kohë si një nyje e rëndësishme lidhëse e rrugëve tregtare mes Ballkanit dhe Europës Qendrore. Vetë dëshmitarët austriakë kur e kishin parë Shkupin e krahasonin me Pragën. Që në vitin 1469 kishte një bezisten, apo treg të mbuluar me dyqane të shumta dhe një karavansaraj për akomodimin e tregtarëve nga vende të ndryshme si arabë, hebrenj, grekë, raguzanë, venedikas, përveç atyre shqiptarë e bullgarë. Deri në këtë kohë ishte një qendër e rëndësishme, ku banorët me besime fetare dhe etni të ndryshme si shqiptarë, bullgarë, hebrenj, raguzianë jetonin paqësisht e në harmoni. Mjaftuan tre ditë për ta zhdukur nga faqja e dheut lagjen e lulëzuar hebreje të Shkupit që u shkrumbua dhe u bë hi nga ekstremizmi fetar. Në mesin e shek. XIX francezi Ami Boue raportonte se Shkupi nuk kishte mbërritur të ketë as sa gjysma e banorëve të vitit 1689. Vetëm në shek. XX, popullsia e Shkupit arriti sërish në nivelin që kishte përpara masakrës. Pra, u deshën tre shekuj që popullsia e Shkupit të arrijë numrin që kishte në prag të shkatërrimit dhe holokaustit treditor.
Kjo masakër dhe tragjedi e padëgjuar rëndohet edhe më shumë nga autorë ekstremistë deri në atë pikë, sa që e konsiderojnë këtë si një masakër të motivuar nga dëshira për ta mbrojtur popullsinë nga një epidemi që gjoja kishte rënë në qytet?!
Vetë Piccolomini shruante se “xhamitë janë ndërtuar prej mermerit më të mirë, të zbukuruara me mijra llampa të varura në shandanë të praruar, që do të krahasoheshin me monumentet e Romës. Të gjitha këtyre ndërtesave të lashta e të bukura, ua vura zjarrin në mënyrë që të mos i lija armikut asgjë që mund ta shfrytëzojë.

Related Articles

Back to top button