Andov: Lufta e vitit 2001 nuk duhet të ndodhte

“Maqedonia e Veriut, gjatë 29 vjetëve të pavarësisë, ka bërë përparime të mëdha, por edhe gabime të cilat i kanë kushtuar humbje kohe për arritjen e synimeve të saja kryesore: anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian“, ka thënë kryetari i parë i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Stojan Andov, për Radion Evropa e Lirë.
“Sikur në atë kohë të mos bëheshin disa gabime, vendi mund të ishte shumë më herët pjesë e strukturave euroatlantike, ndërsa konflikti i vitit 2001 nuk do të ndodhte“, ka thënë Andov.
“Sigurisht që kishte gabime. Nuk duhej që të vinim deri te konflikti në vitin 2001, pasi disa çështje mund të zgjidheshin më herët, por ja që u vonuam. E dimë se në referendumin për pavarësi nuk dolën votuesit shqiptarë… Qysh atëherë gjërat mund të vendoseshin më ndryshe. Siç edhe e dimë, deputetët shqiptarë nuk e votuan as Kushtetutën e pare, në vitin 1991. E gjithë kjo duhet të shërbente si mësim, por ja që u veprua pak me kokëfortësi. Mendonim se mund të bëhemi pjesë e NATO-s me disa operacione që zhvilluam brenda shtetit në vitin 1993. Ne e donim Perëndimin, por nuk kishin përvojë, kështu që na u ngatërruan punët dhe u vonuam”, ka thënë Andov.