Lifestyle

“BIRI” – një libër unik i F. Açkës

 

Prania e dy rrafsheve të shtjelluara në hapësirën e tekstit: – të ndjesisë siprane të dhimbës mëmësore: – të shenjave estetike, krejt të përveçme, të dinamikës narrative, strukturimit të laryshisë kompozicionale, ka ngjizur një vepër të pazakontë, që ka vënë në qendër Birin, si protagonist dhe personazh, ku madje dukshëm jeta dhe matanëjeta, sendërgjon kozmogoninë e dritës. Këto elementë, të episodeve dhe tanësisë së tekstit, të parashtrimit autorial, qartësisht e shenjojnë si një libër unik. Poetja dhe romancierja, tashmë e shenjave të përveçme estetike, varësisht librave të botuara, lexuesve dhe shënimeve kritike, pra në të dyja lamitë shkrimore, vjen me një libër ndryshe, aq më tepër me titullin e beftë Biri, që përçon tragjizmin e thellë, por edhe një gjendje të pazakontë letrare. Kur them libër unik, nuk e shpie në mend përqasjen me libra të tjerë të autores, as me libra të letrave shqipe a më gjerë se sa kaq, sepse është tekst që mbetet brenda qarku, të përveçme të ngjizjes shpirtërore dhe artistike. Vetë fjala unike, e cila në fakt qëndron në këmbë më brishtësi të rrokshme, kurrsesi nuk e shoh si një kamër dallimi, por si një tekst që përcjellë një situatë të pazakontë jetësore, ndonëse të përthyer në ripetitorët estetikë, që njëherit të fut në vorbullën e fatit të zi, për mëmën që ka humbur Birin, po kaq për vetë Birin, që i ndërpriten ëndrrat, në moshën e shpërthimit të gazmendit. Pra, për gjendjen e prishjes së frikshme të ekulibreve njerëzore, ku mëma tashmë është e pabir, e Biri ka fluturuar në amshim, e sendërgjon hapësira e tekstit.
Jeta e ka bjerrun kuptimin e vetë, sepse tragjikja e humbjes, e ndarjes së parakohshme nga jeta, e kapërcen fuqinë e nënës, me pranu ikjen e birit, në moshë fare të re, atëbotë kur sapo kanë shpërthyer ëndrrat, vegimet, talentet e shumëfishta. Një libër, krejt ndryshe dhe i veçantë, në krijimtarinë e Açkës, ngase në kumtin dhe shestimet e autores, kur pas udhëtimit vetmitar në dhimbjen e pamatshme, mbase gjer në shpërfytyrim, në ikje e kthim, arrin deri në një pohim sipranie: Unë kam një histori dhe vetëm po rrëfej dhe madje që rrëfimi të jetë sa më afër gjërave të tij, ku edhe përzhitem nga malli…(2020: 312), që hedh dritë dhe shenjtëron kahjet e vetëdijes së shkrimtares, në kumtimin e kësaj gjendje të pazakontë. Uniciteti, jo si përcaktim fundor, që as nuk e marrim përsipër, madje as nuk shënon mbylljen e marrëdhënies me tekstin-ligjërimin për Birin, lidhet ngushtësisht me sugjerimin e rrëfimtares – autores – mëmës, që theksohet disa herë në faqet e librit, madje si një semantikë e qartë letrare.

A – Termi “histori”, si tregues i një distance të nevojshme, njëherit edhe si pikëtakimi, që lidhet me fatin e Birit dhe mëmës, që megjithatë zbulon në pëllëmbë të dorës dhembjen e pakufi, tanimë rreket me ngucat në pejzitë e shpirtit vetmitar, si nevojë dhe dobi me e zbulu para lexuesit, gjithshkafin, e humbjes dhe të kumteve të befta estetike. Një ndodhi tejet njerëzore, që ka ngjarë tashmë, e cila mundet t’i tregohet dikujt, si e ngjarë a histori, që në një tekst letrar, gjithsesi merr shenjim figurativ, gati të pashmangshëm.

B – Po rrëfej, sërish nënvizon me vetëdije letrare, më se njëherë autorja, në faqet e librit, e dihet se rrëfimi përkon me letërsinë, veçmas me prozëshkrimin. Aq më tepër që rrëfimi simbas teorive letrare, njëherësh shenjëzon magjinë dhe poetikën e prozës. Pra, rrëfimi si një akt shpirtëror dhe estetik, sendërgjon realisht tekstin romanor, ku jeta dhe arti, ndërthuren e shkrihen në një rebus letrar, ku madje më shumë vetë jeta e tejkalon imagjinaren. Biri, libri i mbramë, i shkrimtares F. Açkës, jo vetëm shqipton vlagën amnore, për humbjen e paimagjinuesheme të Birit, por diçka ma tepër, shpalon vlera letrare të përveçme, le të themi të pakrahasueshme, si një libër unik, në nivelet, emocionalë dhe artistikë, derdhur në shtjellat romanore, të një zhanri tipologjik, që autorja e ka dëshmuar me lëvrimin e disa teksteve.
Në rastin librit Biri, nginjur me dhimbje të jashtëzakonshme, por edhe të sjellur me shenja letrare të përveçme, sa gati-gati e ka kapërcyer përvojën e mëparshme të shkrimtares, të cilës i ra për hise prova e zjarrit, “mos të raftë si me provu”, e përkufizon populli humbjen e fëmisë, për këdo nesh. Prania e këtyre eloementëve, historisë dhe rrëfimit, na fton për ta parë si tekst romani, pra duke përfaqësuar zhanrin e gjatë i prozës, për të cilin vlen nënvizimi: “Kuptimi dhe jeta në roman ndahen, e me këtë qenësisht dhe kohësisht, madje mund të thuhet se krejt veprimi i brendshëm i romanit – nuk është asgjë tjetër përpos luftës kundër fuqisë së kohës.) Llukash, Gjergj, Teoria e romanit, 1983: 122.) Madje, me atë filigranin e endur të dhimbjes, prushitur në përmallimin tronditës të nanës, thurur e shthurur në vetëdijen e autores, për ta ndarë dhe zbuluar dhimbën personale me botën, me lexuesin, në regjistra kumtesh dhe ligjërimesh të jashtëzakonshme, ka ngjizur tharmin e një teksti unik.

Nga Behar Gjoka .

Related Articles

Back to top button