Rajoni

Shqiptarët ortodoksë në RM(V): Mbi historinë dhe manipulimin politik të kësaj çështjeje

Nga Arbër Çeliku
Ne krenohemi si popull se, për dallim nga popujt më të zhvilluar të Evropës sot, si: Anglia, Gjermania, Irlanda e Veriut, etj., feja nuk ka luajtur asnjë rol në prishjen e kohezionit kombëtar. Megjithatë, rasti i shqiptarëve ortodoksë (të cilët nuk kanë dashur të konvertohen), po e dëshmon të kundërtën ose, thënë më saktë, gjeografikisht ka ndodhur vetëm në vendbanimet e Rekës së Erpërme. Në rrjedhën e kohës, njësoj si të ashtuquajturit “makedonski muslimani”, shqiptarët ortodoksë u përvetësuan me qëllime të mbrapshta në kuadër të sistemit jugosllav nga komunistët maqedonas dhe, me mëvetësimin e Maqedonisë, u përmbyll ky proces që, nga njëra anë, ky përvetësim të ndikonte në përfaqësimin tonë sa më të ulët numerik në territorin politik të RM(V)-së dhe, nga ana tjetër, duke u dhënë privilegje atyre, të asimiloheshin shkallë-shkallë, gjë që dhe ndodhi.

Sidoqoftë, kjo nuk është më tragjikja në gjithë këtë mesele, por fakti që shumica nga ne (me një besim ndryshe), ata i trajtuam si të huaj, i izoluam dhe i stigmatizuam. Pikërisht ashtu siç deshi sistemi jugosllav dhe ai maqedonas.

Përpjekjet e fundit të politikës ditore, për ta aktualizuar çështjen e shqiptarëve ortodoksë, nuk ishin asgjë tjetër, përpos një pretence të një kauze të humbur moti kohë, madje as që dha ndonjë rezultat pozitiv në politikëbërjen kolektive. Për më tepër u krijua një situatë, siç thonë amerikanët: win-win, por që në fund asnjëra palë nuk fitoi (mbase përveç dy-tre individëve në hamendësim). Thjesht, sepse ndërrimi i gjeneratave e humbet ndjesinë e së shkuarës, të këtij boshti paradigmatik, i cili nuk i reziston dot kohës.

Madje, edhe gjeneratat e reja të sotme shqiptare (muslimane) e kanë humbur ndjesinë e së shkuarës, sado që tentohet t’u imponohet atyre sot e gjithë ditën një diskurs politik, i stërngarkuar me mite, legjenda dhe lavdi, por shterpë në krijimin e strategjive dhe programeve kombëtare. Gjeneratës së sotme nuk i intereson përralla për produktin, por vetë produkti dhe ja që ne produkt të vetëm e kemi të shkuarën, kurse të tashmen dhe të ardhmen i kemi përplot me narracione të tipit të Nasradin Hoxhës, por që shtesë ua kemi veshur edhe tiparin politik.

Related Articles

Back to top button