Rajoni

Me regjistrimin e prillit të dëshmojmë se nuk jemi të huaj në tokën tonë

Shkruan Arbër Çeliku

Territori, që sot politikisht është emërtuar si Republika e Maqedonisë së Veriut, është një hapësirë gjeografike ku për shekuj me radhë jetojnë bashkë shumë nacionalitete: shqiptarë, turq, torbeshë, vllahë, romë, bullgarë dhe sllavë. Kombi maqedonas si i tillë njihet për herë të parë zyrtarisht në vitin 1945 dhe qysh atëherë politikisht është dominues mbi kombet e tjera.

Gjatë komunizmit madje, represioni shtetëror ishte aq i egër, sa, jo vetëm turqit, bullgarët, serbët, torbeshët, shqiptarët ortodoksë, arumunët, boshnjakët dhe vllahët, por edhe karshi neve shqiptarëve tendenca ishte që të asimiloheshim dhe të zhbëhej ky diversitet kombëtar, që njësia politike të kthehej në një entitet unik kombëtar dhe të gjithë të ishin maqedonas. Dorën në zemër, edhe në Bullgari ka ndodhur e njëjta me turqit, madje edhe më egërsisht, duke ua ndërruar atyre dhunshëm edhe emrat personalë, kurse neve na e ngjitën për një kohë të gjatë prapashtesën -ski.

Edhe me regjistrimin e vitit 2002, pavarësisht dobësisë politike sllavomaqedonase, u arrit që të vazhdohej i njëjti trend, prandaj dhe u pasqyrua një përfaqësim numerik jo real, i manipuluar dhe i fabrikuar njëjtë si në ish-Jugosllavi. Serbët, bullgarët, torbeshët, turqit, shqiptarët ortodoksë, boshnjakët, vllahët dhe arumunët, në shumicë të madhe u regjistruan si maqedonas.

Me regjistrimin e tanishëm, nëse politika jonë do të arrijë ta menaxhojë mashtrimin e madh historik, përfaqësimi i shqiptarëve nuk do të jetë më 25,4%, por mbi 35%, dhe të tjerët: bullgarët, serbët, turqit, por edhe romët dhe vllahët, nëse do të deklarohen si të tillë, do të kemi një relief tjetër etnik në Maqedoninë e Veriut, një realitet, i cili do të bazohet në të drejtën natyrore të popujve dhe jo në manipulimin dhe fabrikimin politik, që për gati 7 dekada imponoi një përthyerje të realitetit demografik.

Por, gjithçka varet nga faktori ynë politik dhe nga ne, që ta shfrytëzojmë mundësinë e regjistrimit të vetvetes dhe pronës tonë dhe me këtë akt ta çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, por dhe të ngremë themelet e shëndosha kombëtare për gjeneratat që vijnë.

P.S. Mobilizimi i mërgatës për t’u regjistruar ma ka bërë zemrën mal.
Ju paçim për jetë e mot vëllezër dhe motra!

Related Articles

Back to top button